NGËRÇET TEK FOSHNJAT E PORSALINDURA! – Dr. Olgica Nikolovska (Specialist Neonatolog – Pediatër)

Një dukuri normale apo një arsye për tu shqetësuar?

Dhimbja e barkut apo ngërçet infantile tek foshnjat, të quajtura edhe kolika trimenike, përcaktohen si sulme të qarash me zë të lartë dhe shqetësim i shoqëruar me skuqje ose zbehje të fytyrës dhe lëvizje karakteristike të këmbëve drejt barkut (ngërç).

Kur shfaqen:

Dhimbjet e barkut zakonisht shfaqen para javës së dytë të jetës, dhe intensiteti i tyre zvogëlohet ose zhduket pas 3 muajsh. Në 3-4 muajt e parë të jetës së foshnjës, dhimbjet e barkut (ngërçet) janë dukuria më e zakonshme. Ato ndodhin në 20-40% të foshnjave të porsalindura dhe shfaqen njësoj si gjatë ushqyerjes me gji edhe gjatë ushqyerjes me qumësht të adaptuar me formulë. Ato ndodhin papritmas dhe zgjasin për disa orë. Dhimbjet e barkut shoqërohen me shumë të qara nga foshnja, ankth, çrregullime të gjumit dhe ushqimit, dhe nga ana tjetër shkaktohet shqetësim tek të gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Zakonisht shfaqen pasdite dhe në mbrëmje me intensitet më të madh por mund të shfaqen edhe gjatë gjithë ditës dhe natës.

BEBE E PORSALINDUR NE ONE HOSPITAL – 14.04.2021

A është kjo një sëmundje?

JO! Dhimbjet nuk janë një sëmundje por një dukuri normale. Bëhet fjalë për një gjendje në të cilën fëmijët janë të shqetësuar dhe qajnë, por në të njëjtën kohë ata janë fëmijë të shëndetshëm dhe fëmijë që marrin ushqim dhe kanë përparim të madh.

Cilat janë shkaqet


Shkaqet e shfaqjes së ngërçeve nuk janë të njohura plotësisht nga shkenca dhe faktori i saktë etiologjik nuk është përcaktuar. Ekzistojnë disa teori rreth shfaqjes së tyre:

  • foshnja nuk e toleron qumështin
  • trakti gastrointestinal është i pazhvilluar duke mundësuar shfaqjen e spazmave
  • çekuilibër i përkohshëm hormonal
  • foshnjat e thithin qumështin e gjirit shumë shpejt gjë që çon në mbushjen e zorrëve me ajër, shtrirjen dhe fryrjen e tyre
  • mbindjeshmëria e sistemit nervor të foshnjës ndaj mjedisit të jashtëm dhe marrja e shumë stimujve në të njëjtën kohë.

Si më relevante konsiderohen teoritë e papjekurisë së sistemit tretës dhe sistemit nervor të foshnjës, ndërsa teoria e efektit të qumështit të nënës në lidhje me shfaqjen e ngërçeve tek foshnja është një teori e vjetër. Kjo do të thotë që nëna mund të konsumojë një shumëllojshmëri ushqimesh pasi kjo nuk ka të bëj me shfaqjen e ngërçeve tek foshnja. Pra, shfaqja e ngërçeve është një fenomen normal zhvillimi që shkakton tek foshnja shqetësim dhe ngërç.

Si duhet të trajtohen dhimbjet e barkut (ngërçet) infantile?

Trajtimi i ngërçeve me ilaçe nuk është i nevojshëm

Ajo që mund të sugjerohet dhe mund të jetë e dobishme është:

  • Informimi i prindërve në lidhje me dhimbjet infantile të barkut;
  • Masazhe manuale të barkut të foshnjës;
  • Vendosja e një pelenë të ngrohtë dhe shtrirja e foshnjës në krah me këmbët e përthyera;
  • Gogësimë e rregullt e foshnjës pas çdo vakti;
  • Lehtësoni dhimbjet infantile të barkut me anë të  probiotikëve. Është vërtetuar se foshnjat me dhimbje barku infantile kanë nivele më të ulëta të baktereve probiotike në traktin gastrointestinal, kështu që dhënia e probiotikëve çon në kolonizim dhe zvogëlimin e forcës ose humbjes së ngërçeve tek foshnja. Duhet të theksohet se probiotiku nuk ka efekte anësore dhe jepet sipas nevojës.
  • Dhënia e preparateve që përmbajnë simetikon nuk japin rezultate të mjaftueshme dhe përdoren atëherë kur ngërçet shfaqen si rezultat i gëlltitjes së ajrit.

Përfundim

Spazmat infantile janë pjesë e fazës së rritjes tek foshnja njësoj siç është faza e daljes së dhëmbëve, ecja, e foluara – në fakt janë vetëm një fazë tjetër e zhvillimit të fëmijës suaj.

Dr. Olgica Nikolovska – Specialist Neonatolog – Pediatër