Dr. Ermina Ejupi: Kujdesi për dhëmbët gjatë periudhës së shtatzënisë!

Kujdesi për higjienën orale gjatë shtatzënisë është i domosdoshëm për nënën, sepse shëndeti oral i saj mund të ketë ndikim në shëndetin e foshnjës. Gratë që planifikojnë të mbeten shtatzënë, këshillohet të kryejnë kontrolle stomatologjike para se të mbeten shtatzënë në mënyrë që të riparojnë gjithçka që nevojitet dhe të informohen për mirëmbajtjen e duhur të higjienës orale gjatë shtatzënisë. Në këtë mënyrë ju do të ruani dhëmbët tuaj dhe do të shmangni ndërlikimet e padëshiruara gjatë shtatzënisë.

Cilat janë problemet më të zakonshme të dhëmbëve gjatë shtatzënisë?

Problemi më i madh gjatë shtatëzënisë janë padyshim mishrat e dhëmbëve, dhe ky problem shkaktohet si pasojë e ndryshimeve në nivelin e hormoneve gjinore (estrogjenit dhe progesteronit) të cilat shkaktojnë rritje të ndjeshmërisë së gingivitit (mishit të dhëmbëve). Problemi më i zakonshëm që ndodh tek shumica e grave shtatzëna është pezmatimi i mishit të dhëmbëve i cili manifestohet me ënjtje dhe shfaqje të gjakut të mishit, kryesisht gjatë larjes së dhëmbëve.

Zakonisht ndodh në tremujorin e dytë të shtatzënisë. Periodontiti ndodh nëse gingiviti nuk trajtohet si duhet. Kjo sëmundje duhet të merret seriozisht, pasi shkatërron kockat e nofullës dhe përfundimisht çon në humbjen e dhëmbëve si dhe shkakton pasoja tek foshnja.

A ndikojnë problemet me shëndetin e dhëmbëve tek fetusi?

Sëmundja periodontale mund të çojë në reduktimin e peshës së foshnjës ose lindje të parakohshme. Prandaj është e nevojshme të kryeni kontrolle të rregullta dhe të bisedoni me mjekun për çdo problem. Infeksionet e mishit të dhëmbëve janë gjithashtu shumë të rrezikshme sepse ato mund të përhapen në të gjithë trupin dhe të çojnë në komplikime madje edhe në abort spontan.

A lejohen intervenimet stomatologjike gjatë shtatzënisë?

Realisht, gratë shtatzëna nuk kryejnë kontrolle stomatologjike gjatë shtatzënisë për shkak të idesë që intervenimet stomatologjike mund të dëmtojnë fetusin.

Zakonisht, gratë shtatzëna paraqiten tek stomatologu vetëm nëse bëhet fjalë për ndonjë gjendje akute ose urgjente dhe në fakt ky është një gabim i madh!

Rekomandohen të paktën dy vizita tek stomatologu gjatë periudhës së shtatzënisë, dhe detyrimisht duhet ta informoni stomatologun se jeni shtatzënë. Nëse keni dhimbje dhëmbi, gjakderdhje, ënjtje dhe dhimbje të mishit të dhëmbëve ose ndonjë problem të ngjashëm, duhet të informoni stomatologun sa më shpejt të jetë e mundur. Intervenimet stomatologjike rekomandohen të kryhen në tremujorin e dytë ndërmjet javës së 14-të dhe 20-të, e cila është periudha më e sigurt. Sigurisht, në varësi të rrethanave, mund të kryhen edhe më herët ose më vonë.