ÇFARË ËSHTË ASTMA?

ÇFARË ËSHTË ASTMA?

Astma është një sëmundje kronike që përfshin inflamacion dhe ngushtim të bronkeve, ose rrugëve të frymëmarrjes, duke rezultuar me vështirësi në frymëmarrje.

Rrugët e frymëmarrjes të inflamuara bëhen shumë të ndjeshme dhe reagojnë ndaj substancave të caktuara të quajtura alergjene të cilat shkaktojnë sulme të astmës.

Astma është një nga sëmundjet kronike më të zakonshme në mbarë botën.

ÇFARË SHKAKTON ASTMA?

Etiologjia e saktë e astmës nuk është krejtësisht e qartë. Është i njohur fakti se:

– Tek astma ndikojnë faktorët gjenetikë.
– Astma është më e zakonshme tek personat të cilët janë të prirur ndaj alergjive (atopia).
– Ndotja mund të ndikojë në përkeqësimin e astmës.

Disa studime tregojnë se të rriturit dhe adoleshentët të cilët konsumojnë duhan kanë rrezik më të lartë të zhvillimit të astmës. Ekzistojnë dëshmi të forta të inkriminimit nga pirja pasive e duhanit. Fëmijët që jetojnë me persona që konsumojnë duhan kanë më shumë gjasa që të vuajnë nga astma gjatë viteve të para të jetës.

CILAT JANË SIMPTOMAT?

Çdo pacient që vuan nga astma do të përjetojë të gjitha simptomat, dhe ashpërsia e tyre mund të ndryshojë në varësi të individit, madje edhe tek i njejti individ simptomat mund të ndryshojnë me kalimin e kohës.

  • frymëmarrje të shkurtra (dispne)
  • shtrëngim në kraharor (gjoks)
  • fishkëllimë në kraharor
  • frymëmarrje të vështirësuar
  • kollë e thatë e qëndrueshme ose kollë me sekrecion të trashë që nxirret me vështirësi

 

SI DIAGNOSTIKOHET?

Për të diagnostikuar astmën, duhet të bëhet anamneza e sëmundjes dhe të bëhet ekzaminimi fizik. Më pas bëhen testet diagnostikuese, zakonisht diagnostikimi funksional pulmonar që përfshinë spirometrinë, matjen e kapacitetit të difuzionit, RTG e mushkërive dhe sinuseve paranazale ose tomografinë e kompjuterizuar, si dhe bronkoskopinë.

Më pas, mund të indikohen testet e gjakut për të përcaktuar nivelin e IgE jospecifike dhe specifike, të cilat janë të pranishme në sasi të mëdha gjatë sëmundjeve alergjike.

Teste të tjera përfshijnë testet bronkoprovokative (metakolinë, testin e acetilkolinës histamine) dhe teste që përjashtojnë kushte të tjera, siç janë refluksi gastroezofageal ose apnea obstruktive e gjumit.

 

SI TRAJTOHET?

Hapi i parë për kontrollin e astmës është identifikimi dhe shmangia e shkaktuesve. Kjo mund të nënkuptojë qëndrimin në shtëpi kur alergjenet janë të larta ose indeksi i smogut është i lartë, duke përdorur çarçafë të posaçëm për të shmangur kontaktin me dermatofagoidet dhe alergjenet e tjera.

Ekzistojnë dy mënyra të cilat duhen menaxhuar në trajtimin e astmës:

– Kontrolli afatgjatë i astmës me kortikosteroide thithëse dhe ilaçe të tjera.
– Trajtimi i sulmeve të astmës me ilaçe për lehtësim të shpejtë.

Objektivat e parandalimit të astmës dhe programeve të menaxhimit afatgjatë janë:

  • Arritja dhe mbajtja e kontrollit të simptomave
    • Mbajtja e aktivitetit normal, duke përfshirë edhe ushtrimet
    • Ruajtja e funksionit të mushkërive përafërsisht në gjendje normale sa më shumë të jetë e mundur
    • Parandalimi i irritimeve apo acarimeve të astmës
    • Shmangia e efekteve anësore të ilaçeve astmatike
    • Parandalimi i vdekjes së shkaktuar nga astma

 

SI MUND TË PARANDALOHEN  SULMET ASTMATIKE?

Përkeqësimet  e astmës janë episode të përkeqësimit progresiv të dispnesë, kollës dhe shtrëngimit të gjoksit. Përkeqësimet e rënda janë potencialisht kërcënuese për jetën dhe kërkojnë trajtim intenziv.

Parandalimi konsiston në zbulimin dhe zvogëlimin e ekspozimit ndaj faktorëve të rrezikut:

• Ulja e ekspozimit ndaj alergjeneve në shtëpi
• Shmangia e tymit të duhanit
• Shmangia e ndotjes nga makinat (veturat)
• Zbulimi i irrituesve në vendin e punës
• Të shqyrtohet roli i infeksioneve në zhvillimin e astmës, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë

Rekomandohet vaksinimi kundër gripit me qëllim për të parandaluar përkeqësimet apo irritimet.

 

PLANI I VEPRIMIT KUNDËR ASTMËS

Shumica e personave me astmë janë në gjendje ta mbajnë sëmundjen nën kontroll. Çelësi i kontrollit është të luani një rol aktiv në zhvillimin e strategjisë së trajtimit. Është e nevojshme që së bashku me mjekun tuaj të hartoni një plan veprimi të astmës. Me anë të këtij plani do të bëhet identifikimi i shkaktuesve, bëhet lista e marrjes së ilaçeve ditore, si dhe plan në lidhje me faktin se çfarë duhet të bëni në rast se shfaqet sulm apo përkeqësim. Me ndjekjen e planit (ose përshtatjes sipas nevojës), shumica e simptomave mund të eliminohen.